Sokol Saiti

Sokol Saiti

Kronologjia e Sëmundjes

Fillimi

Në fillim ishte lodhja, lodhje rraskapitëse. Pastaj erdhi dhimbja. Dhimbje në funksion me kohën, që shpeshtohej. Sikurse rrahjet e tupanave frekuenca e të cilave rritej në mënyrë progresive. Një herë në ditë, çdo tre orë, çdo orë, çdo 10 minuta! Diçka ishte prishë në organizmin e Rronit. Në moshën e tij, pritja është që gjithçka të funksionojë si një orë zvicerane, si një maqineri perfekte. Kështu mendonin edhe mjekët, “Ka infeksion” ose “Ka kaps” - thonin. Nëna, me instinktin e saj nuk iu besonte, përkundër insistimeve të saja, mjekët mbetën në “Ka infeksion”. Një default përgjigje, një /dev/null në lëmin e mjekësisë.

Crvuljak

“Vaše dijete ima upalu crvuljka” — na tha mjeku kroat në Qendrën Shëndetësore të Makarska-s. Na dha një udhëzim urgjent për në QKU të Split-it, dhimbjet në bark veçse e kishin arritë frekuencën maksimale.

Invaginacija

“Vaše dijete ima invaginaciju crijeva.” — na tha radiologia e QKU me një shprehje paksa të brengosur. Në pyetjen time se çka dmth kjo, ajo u përgjigj duke thënë se bëhet fjalë për “futjen e zorrës në vetvete” dhe se duhet të “ripoziocionet” në gjendjen e saj normale me intervenim kirurgjik të cilin do t’a performojë Kirurgu kujdestar.

“Qetësia”

Pas intervenimit erdhi qetësia. Dhimbjet u ndalën. Kirurgu kujdestar na tha që duhet të hulumtohet shkaku i vërtetë i invaginacionit, apo “root cause” si themi ne. Mirëpo, kjo qetësi ishte e afatshkurtër. Tre ditë pas intervenimit kirurgjik, dhimbjet u kthyen. Shkaku i Vërtetë kishte vendosë të lajmërohej vet kësaj rradhe, pa na pritë neve.

Zloćudna Tvorba

Kirurgu kujdestar i rradhës na tregoi që në CT po shihet një trup i huaj afër Zorrës Qorre dhe se për të qenë i sigurtë se çka është, duhet të performohet intervenimi kirurgjik, prap. Dikur, pas mesnatës, Kirurgu doli nga salla e operacionit dhe na tregoi Trupin e Huaj të cilin e kishte largu nga barku. Një masë amorfe e shëmtuar. Na tha se duhen të bëhen analizat imunohistokimike në mënyrë që të dihet se për çfarë lloj mase bëhet fjalë.

Qendra Klinike Universitare në Frankfurt

Lymphom

“Ihr Sohn hat Krebs” — na tha mjekja në QKU të Frankfurtit. Fytyra e saj ishte paksa si indiferente, jo pse nga natyra e saj ishte person pa ndjenja, po më shumë për shkak të natyrës së punës si Onkologe në Pediatri. Të jepte përshtypjen një veterani te kthyer nga fronti i luftës, të cilit asgjë nuk i bën më përshtypje. Na tregoi se bëhet fjalë për Limfomë, më saktësisht Burkitt Limfomë. “Burkitt Limfoma” — tha — “është kanceri më agresiv”. “Por” — vazhdoi — “është një prej kancerëve më të ndjeshëm ndaj kemoterapisë”.

Blitzkrieg

Kryemjeku pasi që bëri një bisedë me Rronin, na spjegoi se çelësi për një rezultat sa më të mirë është administrimi i një kemoterapie sa më agresive dhe me intervale sa më të shkurtëra. “Një lloj Blitzkrieg-i” — mendova vetmevete duke i ditë konotacionet e kësaj fjale në këtë vend. Arsenali kunder Limfomës ishte i shumëllojshëm dhe përbëhej nga komponentë të ndryshëm me emra interesantë në Anglisht:

Të gjitha këto kemikalie në fakt janë helme, në këtë rast me një mision fisnik, atij të eliminimit të kancerit.

CR

Pas gati 4 muajve mjekët konstatuan se është arritë Remisioni Komplet apo tërheqja e kancerit. Mjekët, në kontekst të kancerit gjithmonë flasin për tërheqje dhe jo shërim sepse gjithmonë ekziston rreziku i rikthimit të sëmundjes.

Analiza teknike e sëmundjes (nga një laik)

Limfoma është një lloj i kancerit. Kanceri në fakt nuk është vetëm një sëmundje por një mori sëmundjesh që rrjedhin nga llojet e ndryshme të qelizave kur transformohen në qeliza abnormale. Limfoma rrjedh nga Limfocitet, limfocitet janë përgjegjëse për imunitetin tonë. Janë tre lloje të tyre: B limfocitet, T limfocitet si dhe limfocitet vrasëse. Të gjitha këto luajnë rol në mbrojtjen e organizmit.

Burkitt Limfoma është kancer i cili rrjedh nga B limfocitet. Emrin e ka marrë nga një mjek irlandez i quajtur Denis Parsons Burkitt, i cili e ka zbulu këtë sëmundje gjatë shërbimit të tij në Afrikë. Ekzistojnë dy variante të kësaj sëmundjeje: Varianti Endemik i cili zakonisht shfaqet në Afrikë me tumorë në regjionin e fytit si dhe Varianti Sporadik në pjesët tjera të botës që shfaqet kryesisht (por jo medoemos) në bark. Burkitt Limfoma është mjaftë e rrallë dhe shumë agresive, rritja e masës tumoroze është eksponenciale, kështu që nëse një tumor në ditën 0 është i madh sa një lajthi, pas 2-3 javëve bëhet sa një mollë. Për këtë arsye, trajtimi duhet të fillojë shumë shpejtë dhe duhet të jetë tepër agresiv. Zakonisht pacientët marrin injeksione direkte shtesë në lëngun cerebrospinal (trunor) sepse medikamentet intravenoze nuk mund t’a kalojnë barrierën e sistemit nervor (një lloj firewall-i) ndërsa limfocitet dhe posaçërisht ato kanceroze po. Kohëve të fundit tek fëmijët, krahas kemoterapisë përdoret edhe imunoterapia, më konkretisht një medikament i quajtur Rituximab. Ky medikament përmban antitrupa të cilët janë të sintetizuar në mënyrë që të “ngjiten” specifikisht në B Limfocite dhe t’a shkaktojnë vdekjen e tyre. Me një terapi adekuate dhe agresive mund të arrihen rezultate të kënaqshme.